Transmetuar më 13-09-2019, 09:23

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë vendimin paraditen e sotme, për gjyqtarin e Gjykatës Administrative Tiranë, Gentian Medja.

Me vendimin e sotëm KPA konfirmoi Medjan, duke e gjetur të përshtatshëm për vijimin e detyrës.

Me këtë vendim u la në fuqi ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, hallka parë e vetingut, i cili e kishte gjetur “të pastër” gjyqtarin për vijimin e detyrës.

KPA shqyrtim kërkesën e Opinionit Ndërkombëtar të Monitorimit i cili ankimoi vendimin e KPK.

Por me vendimin e sotëm Medja konfirmohet përfundimisht “i pastër”, pasi rezulton pa probleme me pasurinë, pa deklarime të rreme dhe nuk ka konflikt interesi.

Në seancën e sotme ishte i pranishëm edhe Komisioneri Publik, ku u shqyrtua ankimi kundër vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gentian Medja.

– Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, referuar nenit 66, pika 2, të ligjit nr. 84/2016, në arsyetimin e vendimit të tij, bazuar në ankimin e Komisionerit Publik, do të orientojë Komisionin për metodologjinë e vlerësimit të aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. /a.y/noa.al