Transmetuar më 13-09-2019, 08:35

Një person i shpallur në kërkim nga Interpol, është ekstraduar nga Danimarka drejt Tiranës.

Bëhet fjalë për një 27-vjeçar nga Shkodra, i dyshuar për vrasjen e Nard Polisë në fshatin Grudë e Re, i cili rezulton me dy emra.

Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kopenhagen/Danimarkë, i 27-vjeçarit Kristjan Sulaj, 27 vjeç, banues në Shkodër.

Kristjan Sulaj, i cili rezultonte edhe me emrin tjetër Kristjan Martini, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkodrës, më 27 mars 2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, në bashkëpunim.

I riu akuzohet se është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 20 mars 2019, ku në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Grudë, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, është vrarë me armë zjarri në automjetin e tij Nard Polia, i njohur ndryshe si Nardi i bujtinave.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Kopenhagen, u bë i mundur arrestimi i tij në Danimarkë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Ngjarja për të cilin akuzohet i ekstraduari

Si të dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit, më herët janë arrestuar dy vëllezërit Gilbert Toma 26 vjeç, Kleandro Toma 29 vjeç dhe shoku i tyre Alfred Martini 20 vjeç.

Ndërkohë Kristjan Sulaj, 27 vjeç, mendohet se është personi që ka qëlluar me armë drejt Nard Polisë.

Nga hetimet e policisë dyshohet se të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim e kanë ndjekur me makinë viktimën, dhe më pas makina e tyre tip “Audi” është fiksuar nga kamerat duke kaluar në vendin quajtur Ura e Mesit, vend ku dhe u gjet i djegur motori me të cilin mendohet se u lëvizte autori i vrasjes.

Është pikërisht makina me të cilën lëviznin të dyshuarit, ajo që ka çuar policinë në identifikimin e tyre.

Mësohet se makina tip “Audi” rezulton në pronësi të Alfred Martinit, i cili ka thënë se mëngjesin e 20 marsit ia kishte dhënë Kristjan Sulaj, por pretendon se makina i është kthyer pasditen e po së njëjtës ditë.

Po ashtu Gilbert Toma dhe Kleandro Toma, kanë mohuar të kenë lëvizur me mjetin, me të cilin mendohet se ka lëvizur ekzekutori pas djegies së motorit, i cili dyshohet se është Kristjan Sulaj, dhe mendohet të jetë paguar për krimin.

Nard Polia, apo siç njihej Nardi i bujtinave, kishte tre vjet që ishte kthyer nga emigrimi në Itali, ku ka dhe disa precedentë penalë.

Polia është akuzuar për trafik droge, grabitje dhe shfrytëzim prostitucioni, madje është ndaluar nga policia e shtetit fqinj në vitin 2010, si pjesë e një grupi që shpërndante kokainë, te persona të rëndësishëm, mes tyre dhe politikanë.

Pak muaj pas lirimit ai arriti që të lirohej, por pak muaj më vonë u arrestua sërish me 2 kilogramë kokainë.

Grupi ku bënte pjesë viktima, shiste një gramë kokainë për 80 euro, ndërkohë kur klientet ishin femra dhe nuk kishin mundësi të paguanin, iu kërkohej që të kryenin marrëdhënie seksuale.

Por Nardi Polia akuzohet edhe për grabitje, ku në vitin 2010, ai mbeti i plagosur teksa po vidhte në lokal. Kështu pas shlyerjes së dënimit, në vitin 2015, autoritetet italiane e kthyen në Shqipëri, ku në Theth së bashku me familjen, ndërtoi një bujtinë, e cila rezultoi e suksesshme.

Jo vetëm kaq por ai u emërua administrator i Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit, pavarësisht të shkuarës problematike në shtetin fqinj.

Edhe nga policia shqiptare ai u procedua penalisht në vitin 2017, për shkak se në zonën e Thethit u zbulua një parcelë me kanabis. /a.y/noa.al