Transmetuar më 13-09-2019, 08:24

Një grua 47-vjeçare nga Sacramento, California, SHBA, është shtruar në spital qysh prej muajit korrik në gjendje gjysmë kome.

Gruaja me zor ecën dhe flet me shumë vështirësi. Në pamje të parë mjekët thanë se gruaja kishte pësuar iktus, mirëpo analizat e thelluara treguan tjetër gjë.

Gruaja rezultoi se ishte helmuar me mërkur, i cili ishte marrë nëpërmjet një kremi për fytyrën të cilin e kishte blerë online dhe që ishte importuar nga Meksika.

“Mërkuri nuk u shtua nga prodhuesi i kremit por nga një palë e tretë pas blerjes”, deklaroi në një komunikatë, Departamenti i Shërbimeve Shëndetësore në konte.

Sipas djalit të gruas, e ëma e përdorte kremin prej vitesh, dy herë në ditë, pasi i dukej se funksiononte më mirë se ata që blinte në farmaci.

Dyshohet se kremit i shtohej mërkur nga dikush që më tej e shiste në tregun e zi, ndërkohë që nuk bëhet me dije nëse bëhet fjalë për një gabim në dozë apo për një akumulim ndër kohë.

Dozat e rënda të mërkurit shkaktojnë humbje kujtese, ankth, depresion, dhe dhimbje koke, shkruan noa.al.

Nga ana e saj kompania prodhuese “Ponds” deklaroi se nuk përdorin kurrë mërkur në produktet e tyre”. /a.y/noa.al