Transmetuar më 12-09-2019, 19:44

Në samitin botëror të vaksinimit, ku e pranishme është edhe ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manasterliu, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker deklaroi se skepticizmi për këtë çështje duhet të marrë fund dhe gjithashtu duhet të shtohen fondet për kërkimin shkencor në këtë drejtim.

Brukseli zyrtar e konsideron alarmante gjendjen e sëmundjeve epidemike që marrin jetën e fëmijëve pasi masat e parandalimit nëpërmjet vaksinimit, nuk kanë gjetur zbatimin e duhur.

“Komisioni europian është angazhuar fuqishëm në fushatën kundër keqinformimit ndaj vaksinimit, ne duhet të bëhemi bashkë për të mirën e fëmijëve tanë."

"Më vjen keq që shifrat në tre muajt e parë të vitit 2019 flasin për një rritje të vdekshmërisë foshnjore si pasojë e fruthit dhe kjo ka ndodhur në vende që nuk kanë një qasje pozitive ndaj vaksinës. Pas varfërisë dhe konfliktit, skepticizmi është një nga faktorët që i shtyn njerëzit të luajnë me zjarrin duke refuzuar vaksinën. Ne duhet të shtojmë përpjekjet në këtë drejtim dhe këtë e konsideroj urgjente”, – u shpreh Juncker.

Sipas UNICEF, një në pesë fëmijë në rang botëror nuk është vaksinuar gjatë vitit 2018, duke shtuar kështu mundësitë e vdekshmërisë nga sëmundjet epidemike.

Për Europën, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se Fruthi është rikthyer në katër vende Europiane që më parë merreshin si shembull për mungesën e kësaj sëmundjeje.

Shqipëria, Republika Çeke, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, konsiderohen si vende që nuk kanë arritur ta çrrënjosin sëmundjen./a.m/NOA.al