Transmetuar më 12-09-2019, 17:37

Pas sherrit, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës po merret në pyetje bashkëshorti i ministres Besa Shahini, Dardan Molliqaj, i cili është edhe anëtar i Partisë Socialdemokrate.

Deputeti i VV-së, Haki Abazi, tha se prania e tyre në prokurori lidhet me atë që ndodhi mbrëmë pas përfundimit të emisionit “Pressing”.

Pas përfundimit të këtij të fundit, deputeti i VV’së, Haki Abazi deklaroi se u sulmua fizikisht nga Molliqaj i PSD’së, në një sherr të pazakontë.

Mësohet se Prokuroria e Prishtinës ka marrë një grumbull provash e dëshmitarësh për ta zbardhur ngjarjen, që shkaktoi debate edhe më të forta në Prishtinë dhe në opinionin publik.

Debati nisi dhe përfundoi i ashpër mes tyre.

Sipas mediave në Kosovë, fillimisht Molliqaj nuk po e pranonte Abazin si përfaqësues të VV’së, duke thënë se ai është “profiter e servil”.

Abazi nga ana tjetër po e quante Molliqajn “tradhtar të votës së popullit”. Debati mes tyre degjeneroi aq sa u përmenden anëtarë të familjes së njëri-tjetrit, ndërsa pas akuzave të ndërsjella, sherri degjeneroi me përdorimin e forcës fizike, ku raportohet se nuk munguan edhe grushtet.

U desh ndërhyrja e të pranishmëve për t’i dhënë fund konfliktit fizik mes dy politikanëve kosovarë .

Pas përfundimit të debatit, Abazi gjatë ndërprerjes së emisionit u kthye në studio dhe tha se e ka sulmuar Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, u martua pak muaj më parë me Dardan Molliqaj. /a.m/NOA.al