Transmetuar më 12-09-2019, 17:10

Presidenca ka reaguar ndaj kreut të grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, duke e quajtur atë "Tao Tao", lidhur me pretendimet e tij mbi kandidaturën e Presidenti Meta për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, në reagimin e tij ironizoi Ballën, duke mos i përmendur as emrin.

"Tao Tao ka të drejtë që kandidaturat e propozuara nga Presidenti Meta për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të papërshtatshme, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit për trafik droge, trafik prostitucioni apo vjedhje banesash", thuhet në reagim.

Reagimi i Presidencës nis dhe mbyllet plot ironi.

"Po kështu asnjë prej tyre nuk e ka marrë diplomën e shkollës së lartë, pa bërë fare të mesmen."

"Presidenti Meta është i paaftë të propozojë kandidatë me rekorde kaq pozitive që do garantonin hapjen e negociatave në 18 tetor 2019 me ovacione nga të gjitha vendet anëtare".

/a.m/NOA.al