Transmetuar më 12-09-2019, 16:41

Kthimi për shqyrtim në Kuvend i disa projektligjeve të qeverisë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka qenë një ndër temat kryesore të diskutimit në seancën e sotme plenare, teksa në fund mazhoranca socialiste ka votuar kundër të gjitha dekreteve të Kreut të Shtetit.

Ministrat kanë sqaruar në foltoren e Kuvendit arsyet, pse sipas tyre, vendimi i Metës për t’i kthyer këto ligje është i gabuar.

Ndërkohë, një gjë të tillë e ka bërë edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili ndonëse nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme, ka gjetur kohë për të bërë sqarimet e tij në “Facebook”.

Nga Praga, ku po merr pjesë në Samitin e Vishegradit, Rama ka shpërndarë fjalimet e ministrave në faqen e tij të “Facebook”, të cilët sulmojnë Presidentin Meta, duke thënë se ai i ka refuzuar ligjet thjesht dhe vetëm sepse janë të mazhorancës, dhe se katrahurën me dekrete e çdekrete e bën për të plotësuar dështimin e miqve të tij.

Spiropali: “Koha rekord me të cilën Ilir Meta shqyrtoi, analizoi dhe vendosi për t’i kthyer ligjet në Kuvend flet për qëllimin e vërtetë të Ilir Metës. Katrahurën me dekrete e zhdekrete e bën për të plotësuar dështimin e miqve të tij të luftës dhe që ngushëllimin e gjejnë tek Presidenca”.

Ahmetaj: “Ligji për partneritetin publik privat. Ndryshimet e miratuara në ligj janë të konsultuara me FMN, Bankën Botërore dhe SIGMA. Ato e përafrojnë ligjin me standardin ndërkombëtar, heqin në sektorin e transportit rrugor mundësinë e ofertës së pakërkuar dhe përmirësojnë rolin e Ministrisë së Financave”.

Xhaçka:“Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Nuk çuditem nga kthimi i këtij ligji, pasi Ilir Meta ka kthyer 9 ligje në Kuvend. Presidenti e refuzon ligjin, thjesht e vetëm sepse ky ligj vjen nga kjo mazhorancë”.

Gjithashtu, Rama komenton edhe vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kandidaturën e Ilir Metës për në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milo. Lidhur me këtë, Rama shpërndan fjalën e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha nga foltorja e Kuvendit se duhet zgjidhur ngërçi i krijuar për shkak të propozimit të kandidaturave të papërshtatshme nga Meta për në krye të KLSH.