Transmetuar më 12-09-2019, 16:07

OPIONION nga Mentor Kikia

E ardhmja e Shqipërisë është zyrtarisht e zymtë. Emigrimi i përvitshëm dhe rënia e lindshmërisë nuk lënë asnjë alternativë tjetër. Një studim i fundit i OKB-së parashikon se deri në fund të shekullit, ne vetëm do të tkurremi si popullsi, e do të plakemi. Pas 80 vjetësh do të jemi vetëm 1.7 milion banorë, nga 2,9 që jemi tani. Do të jemi edhe më të moshuarit e rajonit.

Nuk ka asnjë mundësi, që në një vend ku popullsia bie dhe plaket e krahu aktiv i punës tkurret, të ketë rritje ekonomike.

E kanë thënë studiuesit më në zë të ekonomisë.

Ata që merren me politikë dhe ligje, nuk shqetësohen për këtë çështje. Madje nuk e di nëse e kanë kapacitetin mendor ta kuptojnë se çfarë do të thotë kjo që po ndodh. Thjeshtë kacafyten e shahen në një luftë për zhvatje.

E di që do të thoni se ka kohë deri në 2100. Për një njeri, 80 vite janë shumë, por për një komb është vetëm një fragment kohe. Pas 80 vjetësh, ne që sot shkruajmë e flasim nuk do të jemi.

As ata që bëjnë ligje nuk do të jenë. Por gjenerata që do të jetojë atë kohë, nuk do të mjaftohet të na pshurrë çdo mëngjes mbi varr, si ndëshkim për këtë që po i bëjmë sot këtij vendi, duke i shkatërruar të ardhmen.

Shënim: Autori artikullin e ka shoqëruar me foton e Kuvendit të Shqipërisë.

/a.m/NOA.al