Transmetuar më 12-09-2019, 16:00

Numri dy i Partisë Socialiste, pas votimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kanadasë sot në Kuvend, u shpreh se të paktën 70 mijë shqiptarë përfitojnë prej saj.

"70 mijë janë shqiptarët që jetojnë në Kanada që përfitojnë pensione pas votimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Kuvendi i Shqipërisë e votoi me 100 vota Marrëveshjen, e cila krijon mundësinë e përfitimit të pensioneve për rreth 70 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada si dhe shtetasve kanadezë që vijnë për të punuar në Shqipëri si të punësuar në kompani industri nxjerrëse, minerale, energjitikë apo të vetëpunësuar", theksoi Taulant Balla.

Më tej kreu i Grupit Parlamentar Socialist, tha se shtetasit shqiptarë do të marrin pension kanadez, nëse vitet e tjera të jetës vendosin t’i kalojnë në Shqipëri.

"Në bazë të marrëveshjes, asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontributive pavarësisht se ku ka punuar pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet. Shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri duke mos humbur asnjë të drejtë", theksoi Taulant Balla./a.m/NOA.al