Transmetuar më 12-09-2019, 14:39

Personi i cili u aksidentua mbrëmjen e kësaj të mërkure me makinë të blinduar me targa ruse tek rrethrrotullimi i ish-sheshit “Shqiponja” në Tiranë, është vëllai i një deputeteje.

34-vjeçari Eldin Dergjini, është vëllai i deputetes së opozitës së re në parlament, Ambra Borova.

Kjo e fundit u betua në parlament në pranverë, duke zënë vendin e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Agron Çela.

I riu rezulton të ketë ndërruar mbiemrin nga Borova në Dergjini, për shkak të së kaluarës së tij me precedentë penalë.

Kjo pasi se i riu rezulton i dënuar në Itali për trafik droge dhe në Shqipëri për kundërshtim të punonjësit të punonjësit të rendit publik. Po ashtu në muajin gusht është ndaluar në Himarë me armë pa leje.

Makina së blinduar ‘G Class’ me targa ruse H001CH 199 ndodhet aktualisht në Drejtorinë e Policisë Tiranë, por nga kontrolli në të nuk janë gjetur sende të paligjshme.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, 34-vjeçari ka treguar se pas aksidentit mori një taksi dhe shkoi për mjekim në një spital privat.

Ai pretendon se ka qenë me shpejtësi normale, por se humbi kontrollin dhe u përplas me një bordurë, pasi e goditi një mjet.

“Nuk e pashë makinën që më përplasi. Në gjendje shoku mora një taksi dhe shkova në spital”, thotë Dergjini.

Po ashtu ai ka thënë se mjeti me të cilin u aksidentuar ditën e djeshme kishte ardhur në Shqipëri dhe nuk kishte pasur kohë që ti bënte dokumentet. /a.y/noa.al