Transmetuar më 12-09-2019, 13:18

Këshilltari për sigurinë kombëtare në Presidencë, Bahri Shaqiri, mësohet nga zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, se disponon prova filmike audio dhe video, lidhur me informacionin e marrë nga kreu i shtetit se mund të digjej Parlamenti.

Tedi Blushi në cilësinë e zëdhënësit të Metës, thotë se Shaqiri, njëherësh ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, ku përmend faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon.

Ky reagim vjen pasi sipas Blushit, portale dhe gazeta të “SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve, me kokëfortësi të shpjegueshme”, vazhdojnë ende të dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Presidenti Meta po mban sekret raportin e prodhuar nga institucioni i lartë i sigurisë kombëtare, që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019.

Sikundër Kreu i Shtetit e sqaroi edhe dje, zëdhënësi i Presidentit rikonfirmon se:

Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozicion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019.

Ai bën me dije se po dje, institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.

“Po kështu, ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, z.Bahri Shaqiri është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, të ndajë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha informacionet, faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon. Uroj që ky sqarim publik të lexohet drejt dhe të mos shtrembërohet sërish në “përkthimin” shqip-shqip që bëjnë në të tilla raste portalet dhe gazetat e SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve”, thotë në mbyllje zëdhënësi i Metës. /a.y/noa.al