Transmetuar më 12-09-2019, 11:52
Ilir Meta, Tedi Blushi

Presidenca jep sqarime lidhur me deklaratën e ditës së djeshme të kreut të shtetit Ilir Meta, sa i takon raportit lidhur me informacionin e marrë për djegien e Parlamentit.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, thotë se me përgjegjësi maksimale, rikonfirmon vendosmërinë e Presidentit të Republikës,  të shprehur shumë qartë dje për të gjitha mediat dhe për mbarë opinionin publik, për të ushtruar të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, si një President i shtetit të së drejtës.

“Me keqardhje, por pa çudi, portale dhe gazeta të SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve, me kokëfortësi të shpjegueshme, vazhdojnë ende të dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Presidenti Meta po mban sekret raportin e prodhuar nga institucioni i lartë i sigurisë kombëtare, që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019”, shprehet Blushi.

Ai thotë se sikundër Kreu i Shtetit e sqaroi edhe dje shumë qartë, është i detyruar të rikonfirmoj se:

Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozicon edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019.

Sqarohet se po dje, Institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.

Po kështu, shton se ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Bahri Shaqiri është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, të ndajë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha informacionet, faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon.

“Uroj që ky sqarim publik të lexohet drejt dhe të mos shtrembërohet sërish në “përkthimin” shqip-shqip që bëjnë në të tilla raste portalet dhe gazetat e SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve”, thotë në mbyllje zëdhënësi i Metës. /a.y/noa.al

Informacioni për djegien e Parlamentit, Meta: Tërësisht i vërtetë

Meta provokon sërish: Të bëjmë tri palë zgjedhje, nuk dal nga Presidenca deri më 2022