Transmetuar më 11-09-2019, 17:27

Në konferencën e parë për mediat pas pushimeve verore, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli pasditen e sotme për takimin që pati një ditë më parë me përfaqësues të Komisionit të Venecias.

Duke e vlerësuar si të shkëlqyer raportin me këtë institucion, Meta bëri me dije se i ka vënë në dispozicion një dokument voluminoz që siç tha ai, jep përgjigje pyetjeve që Kuvendi i ka dërguar “Venecias” mbi përgjegjësitë e kreut të shtetit.

“U kemi dhënë ekspertëve të Komisionit të Venecias, një raport paraprak lidhur me disa pyetje që Kuvendi i ka dërguar lidhur me përgjegjësitë e Presidentit të Republikës. Ky raport është shumë i qartë dhe analitik", tha z.Meta

Ai njoftoi se "ky dokument, do të jetë publik në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, në shqip dhe anglisht, duke filluar nga dita e hënë, pasi të bëhen edhe disa saktësime”.

Komisioni i Venecias do të japë përgjigje përfundimtare në 11 tetor mbi dilemën nëse ishte apo jo i ligjshëm, anulimi i zgjedhjeve lokale dhe caktimi i një date të re nga ana e kreut të shtetit.

Meta tha se është gati që edhe në 11 tetor të jetë i pranishëm për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje, por apeloi që fokusi të jetë te 18 tetori, datë kur për Shqipërinë pritet të vendoset nëse do të hapen ose jo negociatat.

“11 tetori është një datë jo e rëndësishme, sepse qytetarët e dinë që Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Por çdo përpjekje për të caktuar një datë si fokus propagande, është një lëvizje dëshpëruese për të shmangur një datë tepër të rëndësishme që kemi përpara, që është 18 tetori. Mediat të mos bien pre e kësaj propaganda, por të merren me 18 tetorin”, tha Meta duke anashkaluar datën 13 tetor që e ka dekretuar si ditë e zgjedhjeve lokale pas anulimit të 30 qershorit që u sfidua nga qeveria. /k.k/noa.al/