Manjani: Tahiri shanse për pafajësi, dosje të varfër me prova dhe të pasur me lajme
Transmetuar më 11-09-2019, 11:32

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, për të cilin prokuroria dje kërkoi 12 vite burg.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Manjani tha se në gjykatë duhen prova dhe jo emocione turmash dhe deklarime politike. Sipas Manjanit, dosja e prokurorisë është shumë e varfër me prova, duke shtuar sipas tij dhe shanset për pafajësi për Tahirin.

“Sa më shumë dëgjoj e lexoj në media për çështjen Tahiri, aq më shumë bindem se është një dosje e varfër në prova por e pasur në lajme. Puna është se në gjykatë duhen prova dhe jo llafe.Mungesa e provave nga njëra anë dhe ngritja e super akuzave nga ana tjetër, teknikisht (nuk e di nëse është dhe taktikisht) shton shanset për pafajsi. Herët a vonë akuzat pa prova bien. Dmth e vetmja gjë që kam kuptuar nga aq sa shkruhet në media është hobby i Sajmirit për lundrimin në det me mjetin e tij dhe, Habilajt janë kushërinjtë e tij”, shkruan Manjani.

Më tej ai shton se, “Të dyja këto elementë Sajmiri u kujdes ti fshihte para publikut por jo para hetimit. Por ja tani që u zbuluan si lidhet kjo me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës?!!! Po me shpërdorimin e detyrës?! Si është e mundur që nuk qenka hetuar çështja e fikjes së radarëve? Po emaili i policit për prokurorin?! Pra ka shumë boshllëqe të mëdha hetimi.

E kuptoj fort mirë dëshirën e disave që Sajmiri të dënohet, por ky është emocion, shkumë, dëshirë apo qoftë dhe politikë. E kuptoj gjithashtu se sjellja politike e vetë Sajmirit ka prodhuar jo pak viktima, që sot kanë të gjithë të drejtë të kërkojnë shpagim. Por Sajmiri nuk po gjykohet për produktin e punës së tij si ministër. Gjykimin politik njerëzit e bëjnë me votë, jo me gjykatë”.

Në shoqërinë me shtet ligjor Manjani shprehet se duhen prova. “Kjo vlen si për Sajmirin ashtu edhe për armiqtë e tij. Gjykimet e dënimet e nxitura nga emocione turmash, deklarime politike apo edhe diplomatike janë të papranueshme! Duhet të instistojmë gjer në dhimbje që drejtësia të funksionojë ftohtë, e pa ndikuar nga këto emocione dhe pa urdhëra. Ky është i vetmi standard.

Kjo llogjikë duhet pranuar pa kushte, në radhë të parë ndaj atij që nuk e ke qejf. Përndryshe, rritja e presionit për gjykime në emër të turmës, apo teorisë së të bërit shembull por pa prova, është shumë shumë e rrezikshme”.

Në fund ai thotë se, “Me këtë variant i gjithë populli është “i pandehur”. Të gjithë mund të dënohen për inat apo qejf të dikujt tjetër. Por kjo nuk është më shoqëri demokratike!!! Sa më takon nuk e kam pranuar e refuzoj ta pranoj këtë sjellje tërësisht anti shtet, anti-drejtësi e anti- demokraci”./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...