Transmetuar më 11-09-2019, 11:27

Presidenti Meta do të japë një konferencë për mediat, pasditen e sotme në ora 17:00 në ambientet e institucionit të Presidencës, me rastin e vizitës së një përfaqësie të Komisionit të Venecias të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenca bën me dije se kreu i shtetit do të jetë i hapur për çdo pyetje dhe i gatshëm për të dhënë çdo përgjigje, në mënyrën më transparente.

Ndërkohë në një postim të tij në rrjetet sociale, Meta shkruan, “Të dashur miq,

Në ora 17:00 ju ftoj të më ndiqni live në Facebook, në një konferencë për shtyp, me rastin e përfundimit të vizitës së një përfaqësie të Komisionit të Venecias, të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë. I hapur për çdo pyetje! Gati për çdo përgjigje!”

Kjo konferencë vjen teksa delegacioni i Komisionit të Venecias, ka mbyllur ditën e sotme takimet e mbajtura në Tiranë, ndërsa ndodheshin në një vizitë faktmbledhëse dhe konsultative, lidhur me kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Në përfundim të takimit që pati ditën e sotme me anëtarët e Komisionit Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit, drejtuesi i delegacionit Kaarlo Tuori tha se raporti do të dalë më 11 tetor.

“E kemi një ide të qartë, nëse e ka shkelur Presidenti Kushtetutën. Të gjitha takimet kanë qenë produktive, pasi morëm një informacion për të krijuar opinionin që do të dalë në 11 tetor”, u shpreh Tuori.

Presidenti Ilir Meta po hetohet nga kryetari i komisionit hetimor Ulsi Manja dhe 8 deputetë të tjerë, 4 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita për shkelje të rëndë të Kushtetutës sipas kërkesës së bërë nga 55 deputetë socialistë.

Kreu i shtetit po verifikohet për procedurën e ndjekur nga lidhur me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve 30 qershor. /a.y/noa.al