NOA REDAKSIONALE/ Tahiri shiti Kodhelin te pretenca ndaj tij, kush e ka radhën?
Transmetuar më 11-09-2019, 09:42

Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, iu nënshtrua dje pretencës së prokurorisë, e cila duke renditur akuza serioze për trafik droge në bashkëpunim, kërkoi 12 vjet heqje lirie.

Ky moment ishte i rëndësishëm për Tahirin i cili mesa duket, në rastin më të mirë nisi të kuptojë se drejtësia aq shumë e përfolur si e korruptuar dhe abuzive, në rastin e tij deri diku po funksionon. Kurse në rastin më të keq nisi të kuptojë se akuzat ndaj tij nuk janë pak gjë, por të atilla që mund ta lënë atë në burg deri në vitin 2031.

Pikërisht në këtë vorbull, Tahiri dje plasi bombën e parë në gjykatë, "shiti" Kodhelin. Ai tha se gjashtë herë me radhë i ishte drejtuar Mimi Kodhelit kur ishte ministre e Mbrojtjes dhe ai i Punëve të Brendshme, që të merrte masa se radarët nuk punonin dhe droga po merrte dhenë nga Shqipëria në Itali e Greqi.

Kjo ishte akuza e parë e rëndë që Tahiri bëri në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj një tjetër ministri të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Për ta bërë këtë, Tahirit iu deshën mbi 2 vjet që nga koha kur nisën akuzat zyrtare ndaj tij.  Dhe u desh pretenca e bollshme e Prokurorisë për Krime të Rënda që të shkundë ca Tahirin dhe të nisë të tregojë për shokët.

Ajo që pasoi denoncimin e Tahirit ishte kundërpërgjigjja e Kodhelit e cila e shigjetoi deklaratën e kolegut si gjuajtje nën brez.

Tani që kanë mbetur pak kohë deri në vendimin e gjykatës dhe kur nisi të flitet dhe me emra, me parimin "ai që rrezikohet të mbytet të mbyt", për Tahirin duket se ka ende shpresë. Në rastin më të mirë për të, ai mund të dalë pa lagur me një vendim gjykate që do ta linte të lirë. Në këtë rast ose prokuroria do të tregonte paaftësi, ose gjykata do ta meritonte sërish vulën që i ka vënë gjithkush.

Në rastin më të keq për Tahirin, ai mund të marrë deri në 8 vite heqje lirie në shkallën e parë. Këtu do të niste kalvari paralel: Lufta e Tahirit në disa shkallë gjyqësori që ti shpëtojë burgut, dhe, duke parë reagimin gjatë pretencës, edhe një luftë ndaj emrave të tjerë në qeveri dhe PS duke vazhduar "gjuajtjet nën brez".

Loading...
Loading...