Transmetuar më 10-09-2019, 23:28

Kapiteni Elseid Hysaj shënoi golin e tij të parë me Kombëtaren, falë një aksioni mjaft të bukur, ndërsa në përfundim të ndeshjes nuk i fshehu emocionet si për topin e çuar në rrjetë, ashtu edhe për fitoren e kuqezinjve.

Ai shprehet i lumtur për golin, por mbi të gjitha për fitoren.

Bëtë një ndeshje mjaft të mirë si ekip dhe morët një fitore mjaft të rëndësishme. Çfarë ndryshoi sot? Ne luajtëm krejt ndryshe në krahasim me ndeshjen ndaj Francës dhe ishim të bindur që kemi potencial për të luajtur ndaj Islandës dhe për të fituar, ashtu si edhe bëmë. Ky ishte kundërshtari ynë.

Zëvendësimin e kërkuat vetë? Po, sepse kisha një dëmtim në pulpë dhe nuk po arrija të jepja më të mirën time, ndaj nuk doja të penalizoj skuadrën.

Shënuan golin e parë me kombëtaren, si ndiheni? Akoma nuk po e besoj që kam shënuar dhe isha shumë i gëzuar në ato momente. Jam i lumtur për golin, por edhe mbi të gjitha për fitoren.

Takimi Shqipëri-Islandë, i vlefshëm për eliminatoret e "Euro 2020" i luajtur këtë mbrëmje në "Elbasan Arena", përfundoi me rezultatin e thellë 4-2.