Transmetuar më 10-09-2019, 16:30

Ish-ministri Saimir Tahiri ka reaguar sot pas vendimit të Prokurorisë, që kërkoi 12 vjet burg për të, lidhur me akuzat për favorizim dhe bashkëpunim me grupet e trafikut të drogës.

Seanca për ish-ministrin Tahiri është shtyrë, për më 19 Shtator.

Tahiri tha se ato që pretendon prokuroria, janë gënjeshtra.

Sipas tij, organi i akuzës kishte 2 vjet kohë të provonte akuzat, por ka ndodhur e kundërta.

"Kam dy vjet që dëgjoj të njëjta gjëra", theksoi Tahiri.

Ai shtoi se Prokuroria shqiptare nuk ka bërë asnjë hetim.

Si ish-ministër i Brendshëm, Tahiri shtoi se "kam bërë të pamundurën të luftoj kriminalitetin dhe drogën, për një Shqipëri më të sigurt," dhe beson se e tëra kjo histori është një hakmarrje ndaj tij, për ata që kanë pasur interesa përfitimi.

Ai pranoi se kur i ndodh atij kjo histori, qytetari i thjeshtë vuan pasoja të rënda nga e ashtuquajtura drejtësi.

"E vërteta ime vërtetohen me fakte  e prova, që nuk e rrëzon askush."

"Më akuzuan se kam paguar 1 mijë euro nata hotelin. Të gjitha akuzat po i provoj me të kundërtën, se nuk kam asgjë, asnjë pasuri dhe i kam të gjitha të vërtetuara. Maksimumi që kam paguar në një natë kur isha ministër, ka qenë 14 euro", tha Tahiri, e i shtoi këto lidhur edhe me akuzat e fundit për disa zyrtarë të lartë, për të cilët ende nuk ka asnjë hetim.

Por a i frikësohet Tahiri dënimit me burg?

"Nuk i shkoj fare historisë, nëse dënohem, ca do bëj, as nuk i marr parasysh,’ theksoi ai.

"Besoj aq shumë te vetja ime, besoj te drejtësia, siç bëri drejtësi gjykata  dhe prokuroria italiane. Nuk kishte asnjë ndikim nga ana ime që të favorizonte drejtësinë italiane. Mua më akuzuan se jam i lidhur me trafikun e drogës, në një kohë që po luftohej droga në Lazarat", shtoi Tahiri .

Lidhur me deklarata të koduara që pretendohen nga ana e tij, Saimir Tahiri tha se "Nuk merrem me kode, e kam të lehtë të them drejtpërdrejtë atë që mendoj."

Ai tha se e kanë akuzuar se ka shpenzuar edhe 20 milionë euro në fushatë. Por shtoi në fund, se nuk i duhet ndihma e askujt në këtë betejë, që beson se do ta fitojë. "E mirëpres datën 19 që gjykata të japë vendimin. E shoh të pamundur të mendoj çdo gjë tjetër. Në këtë vend ka deputetë, ish-kryeministra, ish-ministra që janë përballur me akuza nga më të rëndat, deri për vrasje dhe nuk kanë shkuar as në prokurori. Unë hoqa dorë nga mandati, të përballem me drejtësinë", theksoi Tahiri, sepse "më intereson drejtësia dhe liria, shpirti i lirë i njeriut dhe do ta fitoj atë". /a.m/NOA.al