Prokuroria kërkon 12 vjet burgim, Tahiri: Pretencë mbi aludime, prisja prova konkrete
Transmetuar më 10-09-2019, 14:42

Në seancën maratonë të ditës së sotme, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me 12 vite burg.

Në rast të gjetjes fajtor, për shkak se gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar, ish-ministri përfiton uljen e 1/3-ës së dënimit, duke rrezikuar 8 vite burg.

Gjatë fjalës së mbrojtjes, ish-ministri kërkoi pafajësi, duke e akuzuar Prokurorinë se nuk ka bërë verifikime për akuzat e ngritura ndaj tij.

Tahiri deklaroi se sipas Prokurorisë ai është trafikant, por shtoi se shpenzimet maksimale për një natë në hotel kanë qenë 140 euro dhe jo 900 euro.

“Prokuroria mori goxha bizhuteri në shtëpinë time, por nuk vajti në banesën e mamasë se nuk i interesonte. Për mos funksionimin e radarëve i kam dërguar shkresë gjashtë herë ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pasi kishte lëvizje të dyshimta”, u shpreh Tahiri.

Ai ka shtuar se në kohën kur Prokuroria e lidh me Jaeld Çelën, ky i fundit nuk ishte më drejtor i Policisë së Vlorës.

“Ajo çfarë unë duhet të dëgjoja sot janë veprimet dhe provat konkrete kundër meje dhe jo aludime për fakte që nuk i kam kryer. Prokuroria aludon se jam unë personi që kam favorizuar Habilajt. Prokuroria hotë se nga njëra anë veproja si pjesë e grupit kriminal dhe nga ana tjetër bashkëpunoja për ta goditur atë”, ka deklaruar Tahiri.

Në pretencën me konkluzionet e Prokurorisë, ish-ministri akuzohet për katër episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë, konkretisht, 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe 8 maj 2015.

Sipas Prokurorisë, Tahiri së bashku me ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti, u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt 2019 dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...