Transmetuar më 10-09-2019, 13:52

Publikohet një tjetër pjesë nga dosja e Prokurorisë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila kërkoi sot 12 vite burg për ish-ministrin, tregohet një episod për skafin e prishur që kishte në përdorim Tahiri.

Sipas organit të akuzës, punonjësi i policisë Naim Brahimaj ka pranuar njohjen me ish-ministrin dhe se është takuar me të në gusht të vitit 2014.

Në dosjen e cituar nga Balkanweb, thuhet se Brahimaj, u telefonua nga Greqia nga Tahiri një mbrëmje, periudhë në të cilën ish-ministri ka qenë me pushime në shtetin fqinj, dhe kishte shkuar në Korfuz me skaf, i cili i ishte prishur.

Dëshmia

Nga deklarimet e shtetasit Naim Brahimaj, punonjës policie, ai ka deklaruar për angazhimin e tij, mbi kërkesën e të pandehurit Saimir Tahiri, në funksion të ministrit të Brendshëm, për rregullimin e skafit, të përdorur nga ky i fundit në pushimet e tij në Greqi, në gusht 2014 si dhe për angazhimin më pas, në dërgimin e skafit në Itali për servis dhe kthimin e këtij të fundit përsëri në Shqipëri.

Sipas deklaruesit, gjatë karrierës së tij, ka punuar në Vlorë me detyrën e ndihmës specialist të forcave speciale, shofer dhe komandat skafi, pranë Repartit “Delta Forcë”. Në gusht 2014, në mbrëmje vonë, në numrin e tij telefonik; 06941….., u telefonua nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, i cili i tregoi se i ishte prishur motori i skafit, ndodhej larg dhe i kërkoi mendim se si duhej të vepronte. E udhëzoi të mundohej të ankoronte diku. Komunikoi disa herë me të atë natë dhe u njoftua se ishte mundësuar ankorimi. Saimiri i kërkoi që të nesërmen të shkonte në Greqi, ku ai ndodhej me pushime, ndërsa do ta merrte dikush me makinë dhe do të shoqërohej edhe nga një tjetër teknik. Të nesërmen, rreth pasdites, u telefonua nga Artan Habilaj, të cilin e njihte më parë. Me të, së bashku dhe me një shtetas tjetër, të quajtur Aurel Konakçiu, udhëtuan me automjetin ‘Audi’, i cili i ishte blerë Saimirit, në drejtim të Greqisë, duke kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar ‘Qafë Botë”.

Mbërritën kur ishte ende natë, në vendin e ankorimit të skafit. Artani si drejtues mjeti orientohej shumë mirë. Duke filluar që në mëngjes, ai dhe Aureli u morën me rregullimin e skafit, me mbishkrimin ‘Solemar’, me fuqi 234 KE, me dy motor, ‘Nanni’, me gjatësi rreth 12 metra, ndërsa Artani lëvizi pa ditur se për ku. Më vonë aty mbërrin edhe Saimiri. Gjatë kohës së qëndrimit atje, u takua me babain e Saimirit, Bashkimin dhe shtetasen Elona Gjebrea, që ndodhej së bashku me bashkëshortin e saj. Rregullim i skafit zgjati disa orë. Drekuan dhe darkuan së bashku me të gjithë personat e tjerë, ndërsa bënë edhe një xhiro me skaf. Ai dhe Aureli fjetën në skaf, ndërsa të tjerët u larguan për në vendin ku kishin qëndruar. Për Artanin nuk mësoi se ku fjeti. Të nesërmen paradite, ai Aureli dhe Artani u kthyen në Shqipëri me skaf dhe automjetin ‘Audi’ e lanë atje për ta përdorur familja ‘Tahiri’. Në kthim, mbërritën në Sarandë. Për të kryer procedurat e hyrjes në port u paraqit Aureli si kapiten i skafit. Vulosën pasaportat dhe më pas udhëtuan po me skaf në drejtim të Vlorës. Rreth orës 23:00 mbërritën në ‘Triport’ ku ankoruan skafin. Pas rreth një muaji Aureli e mori në telefon dhe i kërkoi që ta shoqëronte për në Itali, ku do të dërgonin skafin në servis.

“Ka bërë 5 milionë euro në muaj”, zbardhen përgjimet e Moisi Habilajt për dosjen “Tahiri”

Zbardhet dëshmia Tahirit në gjyq: Radarët që nuk punonin, informova me shkresë sekrete Kodhelin

Prokuroria kërkon 12 vite burg për Tahirin dhe ish-kryepolicin në arrati të Vlorës

Prokuroria jep pretencën për ish-ministrin, Tahiri rrezikon 8 vite burg