Transmetuar më 10-09-2019, 11:31

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, ka reaguar pas deklaratës së bërë nga Andi Lila, futbollisti i Tiranës dhe njëherazi kryetari i Sindikatës së Futbollistëve, ku tregoi në emisionin “Procesi Sportiv”, faktin se Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, u ka hequr pasaportat diplomatike futbollistëve shqiptarë të cilët ishin pjesë në Europian, që u dekoruan në vitin 2016.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili shprehet se heqja e pasaportave diplomatike për heronjtë e Kombëtares Kuq e Zi është një turp dhe marrëzi! Ndërsa shprehet më tej se pas kësaj Rama nuk do ketë më fytyrë t’i afrohet Kombëtares.

“Heqja e pasaportave diplomatike për heronjtë Kombetares Kuq e Zi turp dhe marrëzi!  Nuk kanë nevojë djemtë e shkëlqyer të Kombëtares për pasaportat diplomatike ,por ka nevojë shteti për t’i dhënë vlerë asaj pasaporte. Andi Lila me shokë ju jeni heronjtë tanë që mbrojtët simbolet në mes të Beogradit.

Dhe ky Edi Rama që i jargavitej Kombetares kur kualifikohej në Europian që të rrëmbente ndonjë llokme lavdie.Turp e faqe e zezë. P.S Nuk besoj se ky Edi Rama do të ketë fytyrë t’i afrohet më Kombetares,pas këtij turpi që nuk shlyhet dot kurrë”, shkruan Vasili./b.l/noa.al/