Transmetuar më 10-09-2019, 10:09

Një operacion i policisë së Fierit i koduar “Cakrani” ka zbuluar lëndë narkotike dhe armë, duke vënë në pranga dy persona dhe duke shpallur në kërkim dy të tjerë.

Në vijim të kontrollit të territorit, si edhe mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë operative, pasditen e së hënës u bë kurorëzimi i operacionit.

Gjatë tij u bë arrestimi i N. D., 61 vjeç dhe J. D., 47 vjeç, banues në Cakran.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e M. D., 38 vjeç dhe D.D., 24 vjeç.

Nga kontrolli i ushtruar në banesat e tyre në fshatin Cakran, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 57 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa, një armë zjarri dhe municion luftarak.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. /a.y/noa.al