Transmetuar më 10-09-2019, 09:17

Përfaqësuesit e opozitës, demokrati Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pritën sot në takim përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, të cilët ndodhen në Tiranë, në një vizitë faktmbledhëse dhe konsultative, mbi arsyet pse kërkohet shkarkimi i Presidentit Ilir Meta.

Në përfundim të takimit të mbajtur herët mëngjesin e sotëm, Bylykbashi deklaroi se Parlamenti përpiqet që të tërheqë Komisionin e Venecias në lojën e tij të turpshme për të kapur të gjithë pushtetet përfshi dhe Presidentin e Republikës.

“Presidenti shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti i dha garancinë shqiptarëve që zgjedhjet të bëheshin në një datë tjetër me kushte të mira. Në këtë lojë të turpshme, parlamenti tentoi të bënte palë ndërkombëtarët. Ne ua bëmë të qartë dhe aspektin politik arsyet se pse kemi ardhur në këtë situatë. Raporti i OSBE/ODHIR është lajmërimi vdekjeje i zgjedhjeve në Shqipëri. Atë që e përmend në mënyrë të qartë Presidenti i Shqipërisë se pse në qershor nuk mund të kishte zgjedhje”, u shpreh Bylykbashi.

Nga ana e saj Gjosha tha se raporti i OSBE/ODIHR, që tregon qartë se në Shqipëri zgjedhjet janë pa standarde.

Ekspertët europianë të Komisionit të Venecias do të kenë takime me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës parlamentare, si dhe me Presidentin, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas vizitës në Tiranë, ekspertët e Komisionit të Venecias pritet të hartojnë një opinion paraprak, ndërsa opinioni përfundimtar do të miratohet më 12 tetor. /a.y/noa.al