Transmetuar më 10-09-2019, 09:07

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u paraqit mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku mbahet seanca e radhës kundër tij.

I shoqëruar nga avokati Maks Haxhia, Tahiri hyri në gjykatë pak minuta para orës 09.00.

Në seancën e sotme Prokuroria do të japë pretencën, ku pritet të mësohet dënimi që do të kërkohet ndaj ish-ministrit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm për gjykim të shkurtuar.

Tahiri do të gjykohet së bashku me ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela, i cili është shpallur në kërkim prej më shumë se një viti.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al