Transmetuar më 10-09-2019, 07:57

Mësohen detaje të reja lidhur me krimin e ndodhur në 5 shtator në Bulqizë, ku Fatjon Keta vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij 21-vjeçar, Arlind Pasha.

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes, Keta, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është rimarrë në pyetje nga policia e Dibrës.

I riu nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese, përkundrazi ka deklaruar se po të mundte do të vriste edhe të tjerë.

“Alrind Pasha dhe të tjerë më kërcënonin dhe më shanin çdo ditë. I kam duruar shumë, nuk jam penduar”, është shprehur Fatjon Keta.

Mësohet se rreth një vit më parë ai ishte dërguar në spitalin psikiatrik të Shkodrës, për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe gjatë shoqërimit kishte thënë se, “Do më njohin Arlind Pasha dhe shokët e tij kush janë”.

Mirëpo mjekët vlerësuan se ai nuk kishte nevojë për shtrim, duke e rikthyer në Bulqizë.

Pikërisht paqëndrueshmëria e tij mendore dyshohet se është bërë shkak për vrasjen e shokut të tij të fëmijërisë, Arlind Pasha.

Policia dyshon se sharjet që pësonte Fatjon Keta nga viktima dhe bashkëmoshatarët e tjerë, pas mësimit të lajmit se ishte dërguar në spitalin psikiatrik, janë bërë motiv për krimin ku mendohet se e thërrisnin “psikopat” dhe “i metë”. /a.y/noa.al