Transmetuar më 09-09-2019, 21:09

Para përcaktimit të pozicionit të unionit CDU/CSU, i cili është ende i pavendosur lidhur me hapjen e negociatave BE-Shqipëri, vjen një vlerësim pozitiv nga deputeti socialdemokrat gjerman, Nezahat Baradari.

Në një deklaratë për Deutsche Wellen, ai e vlerëson si hap të rëndësishëm hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Të dyja vendet kanë bërë përpjekje të mëdha për reforma dhe me këtë i kanë përmbushur kushtet për fillimin e negociatave. Për vazhdimin e kësaj dinamike të reformave negociatat e anëtarësimit do të ishin një motor vendimtar”, ka thënë deputeti.

Sipas deputetit socialdemokrat Nezahat Baradari, Bundestagu duhet tani të hapë përfundimisht rrugën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

“Me kushtet paraprake të formuluara për Shqipërinë dhe fokusimin në kapitujt e shtetit ligjor në negociatat e pranimit, do duhet të jenë mënjanuar të gjitha pengesat që i zinin rrugën miratimit”, shtoi deputeti.

Partia Socialdemokrate Gjermane e mbështeti edhe në qershor hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Kurse unioni CDU/CSU pritet që këtë javën të merret intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave. /DW