Transmetuar më 09-09-2019, 20:47

Mediat italiane raportojnë shpesh për shqiptarë të përfshirë në trafikun e drogës atje. Madje së fundmi, këtë shqetësim e ka adresuar edhe Prokurori i Antimafies, Nicola Gratteri sipas së cilit ka një përshpejtim të veprimtarive kriminale të mafies shqiptare.

Duke folur për gazetën “La Stampa”, Gratteri ka thënë se shqiptarët kanë forcuar edhe lidhjet më mafian kalabreze Ndragheta.

“Mafia shqiptare po njeh rritje të pandalshme. Organizatat mafioze të shqiptarëve po dëgjohen çdo ditë dhe nuk ka vetëm në Itali. Shqiptarët kanë ngritur rrjete të trafikut të drogës dhe në vende që dikur për ta nuk imagjinoheshin, si në Holandë dhe shtete të Amerikës Latine”, ka thënë Prokurori i Antimafias italiane.

Sipas tij, shqiptarët shpesh shërbejnë si ndërmjetës për drogën nga Amerika Latine në drejtim të Italisë. Kjo është hera e dytë në një hark të shkurtër kohor që Prokurori Gratteri shpreh këtë shqetësim.

Para 10 muajve ai do të deklaronte: "Mafia shqiptare është gjithnjë e në zhvillim në Europë dhe do të jetë mafia e së ardhmes. Mafia shqiptare po shtrihet gjithnjë e më shumë në Amerikën e Jugut. Në bashkëpunim me mafian kalabreze Ndrangheta është e aftë të importojë sasi të mëdha kokaine në Europë”. /k.k/noa.al/