Transmetuar më 09-09-2019, 20:08

Në votimet e 30 qershorit ku opozita nuk mori pjesë, Valbona Sako, u shpall kryetarja e re e Bashkisë së Durrësit. Kështu ajo i dha fund “mbretërimit” të Vangjush Dakos, pas tre mandateve radhazi që ai kishte marrë në këtë bashki.

Sako, e zgjedhura e Partisë Socialiste, ishte një emër jo fort i njohur për publikun, derisa u propozua nga Edi Rama dhe tani është kryetare e bashkisë së Durrësit.

Në një intervistë sot në Tv Vizion Plus, zonja Sako tregoi se si e kanë pritur i shoqi dhe vajzat e tyre, vendimi për të kandiduar për kryetare bashkie.

“Bashkëshorti im është një njeri që ka punuar gjithmonë në sipërmarrje private sepse i tillë ka qenë. Marrëdhënien me shtetin ia ka lënë gjysmës tjetër të familjes e cila jam unë që fatmirësisht punoj prej 25 vitesh në administratë publike”, tha ajo.

“Nuk është se e priti mirë. Për hir të së vërtetës nuk kishte dëshirë, jo se nuk do që të bëjë karrierë unë, por për shkak të impenjimit dhe duke më njohur si natyrë e quante një barrë shumë të madhe për mua”, – pohoi zonja Sako.

Kurse shtoi se gjithsesi, “ishte një vendim që më takonte mua, por me mbështetjen e tij”.

“Fëmijët, duke pasur një moshë të rritur 24 dhe 17 vjeç, u bënë pjesëmarrës në vendimin tim ishin”, – shtoi Sako, duke treguar më tej, se 25 vite më parë, u martua me mblesëri me bashkëshortin që ka në krah. /a.m/NOA.al