Presidenti paralajmëron deputetët e Komisionit Hetimor: Jeni në konflikt interesi
Transmetuar më 09-09-2019, 19:42

Në seancën e sotme dëgjimore të Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit, mungoi përgjigjja e Ilir Metës në pyetjen e deputetit Arbnor Shameti nëse kishte konflikt interesi me vendimin që mori për të shtyrë zgjedhjet.

Presidenti Meta refuzoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes gjatë seancës, por sot në mbrëje, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi pohon se Presidenti Meta e shmangu me qëllim përgjigjen e drejtpërdrejtë dhe shton:

“Presidenti Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar. Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi”.

Për këtë pohim, kreu i shtetit thotë se ka disa argumente:

“Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani.

Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji.

Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit:

Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit.

Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019.

Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.

Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit”.

Parlamenti njoftoi se thirrja e z.Meta erdhi Bazuar në urdhrin nr. 4 datë 04.09.2019 “Për thirrjen e mbledhjes së komisionit hetimor të Kuvendit ngritur me vendimin nr 84/2019 të Kuvendit ”Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Lidhur me këtë çështje, u mblodh sot Komisioni hetimor me rend dite: zhvillimin e seancës dëgjimore me z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë, për t`u dëgjuar mbi objektin e hetimit. /k.k/noa.al/

Loading...
Loading...