Transmetuar më 09-09-2019, 19:00

Prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Gratteri, jep përsëri alarmin e rolit që sipas tij mafia shqiptare luan në trafikun e kokainës në botë si dhe në biznesin e saj kriminal në bashkëpunim me mafian kalabreze “La Ndrangheta”.

Për të përditshmen italiane, “La Stampa”, Nicola Gratteri tha sot se “trafiku i kokainës është pothuajse monopol i mafias kalabreze "La Ndrangheta", por shënon rritje edhe forca dhe besueshmëria e rrjetit kriminal të mafieve të reja si ajo shqiptare.

“Forcimi i mafias shqiptare është i pandalshëm”, – shtoi ai.

Kurse paralajmëroi: “Në vitet e ardhshme do të dëgjojmë të flitet gjithnjë e më shumë për këtë organizatë e jo vetëm në Itali. Por edhe në Holandë për shembull, si dhe në Amerikën e  Jugut, shqiptarët po fitojnë role operative drejtpërdrejt me prodhuesit e drogës".

Ky hap i mafias shqiptare, për prokurorin e antimafias italiane, shpjegohet me motivin e arsyeshëm të akreditimit që klanet shqiptare kanë përfituar pranë karteleve meksikane falë Ndrangheta kalabreze.

“Është mjaft e vështirë që nga asgjëja të akreditohesh si blerës të prodhuesit amerikano jugor të kokainës”, thotë prokurori i Antimafias, i cili kujton edhe faktin se pak kohë më parë kriminelë serbo-malezezë provuan një gjë të tillë por u therën në Meksikë.

Prokurori, Nicola Gratteri thotë se në Sibaritide në rajonin e Kalabrias, shqiptarët i garantuan mafias kalabreze, armë, kryesisht kallashnikovë, për të cilët nuk kishin probleme furnizimi.

“Në shkëmbim, shqiptarët u bënë operativë në trafikun e prostitucionit. E vetëm pak kohë më parë aksioni i tyre shënoi një hap më lart në trafikun e drogës. Kemi regjistruar kontakte mes ndranghetisve dhe mafias shqiptare në Meksikë, por për momentin nuk mund të shtoj më shumë", – deklaroi Gratteri.

Por mafia kalabreze Ndrangheta ka vënë nën monopol dhe biznesin me vlerë miliarda euro të drogës sintetike Fentanyl. Një kilogram i këtij pluhuri narkotik kushton 10.500 dollarë dhe, i përpunuar me substanca të tjera prodhon rreth 1 milion pilula që shiten 20 dollarë secila.

Për trafikun e heroinës, Prokurori i Antimafias italiane thotë se së bashku me drogat sintetike kjo lloj droge ka shënuar një risi në tregun ndërkombëtar. Meksikanët po dërgojnë sasi të mëdha heroine në SHBA duke mbytur tregun. 90% e heroinës në Amerikë vjen nga Meksika dhe rruga e trafikut të heroinës nga Afganistani furnizon tashmë  kryesisht vetëm Europën.

Prokurori i Antimafias italiane nga ana tjetër pohon: "Ka një reduktim të fondeve amerikane për të luftuar prodhimin e kokainës, në Kolumbi, Peru dhe Bolivi". /a.m/NOA.al