Transmetuar më 09-09-2019, 17:48

Pas rikonfirmimit të Erion Veliajt për një mandat të dytë në Tiranë, edhe Aldrin Dalipi u rikonfirmua si Kryetar i Këshillit të qarkut.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, dha detaje nga votimi i Dalipit.

“Suksese Këshillit të Qarkut Tiranë, në këtë mandat të ri!”, tha ajo.

“Bashkë me Taulantin, Ervinin dhe deputet e PS-së për Qarkun e Tiranës ndoqëm takimin hapës ku u zgjodh dhe Kryetari i ri i Këshillit.”

Spiropali u shpreh e sigurt se PS-ja do të udhëheqë me sukses Bashkinë Tiranë dhe të gjitha bashkitë e tjera, me ekipin e saj.

“Me rënien e mureve donkishoteske më 30 Qershor, tashmë më shumë zhvillim dhe bashkëpunim midis Bashkive të Qarkut, për t’u bërë ballë sfidave të reja BASHKË!

Urime Aldrin Dalipit për rikonfirmimin si Kryetar i Këshillit, të bindur që me përgjegjshmëri dhe energji, do vazhdojë të bëjë punën më të mirë për banorët e Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës dhe  Rrogozhinës”, tha Spiropali.

Aldrin Dalipi u rizgjodh kryetar i ri i këshillit me 35 vota pro dhe 1 abstenim. Pas konfirmimit Dalipi u shpreh “katër vite më parë gjetëm një institucion në udhëkryq, ku qokat politike ishin pa limit”.

Falë një reformimi të shpejtë duke shkurtuar gjithçka të tepërt, administratë modeste por efikase, projektuam shërbime, i dhamë fund korrupsionit të  sporteleve dhe në nëntor të vitit 2015, denoncuam një nga skemat më korruptive të tokave në bregdet.

“Jemi të lumtur sot që 300 mijë m2 tokës së grabitur i është kthyer shteti dhe publikut. Denoncimi i skemës nga ana jonë solli një punë fantastike dhe të shpejtë të organeve ligjzbatuese për ta ndëshkuar. I hapim rrugë projekteve konkrete të mbetur pezull në nivel qarku dhe sot disa  projekte të rëndësishme zhvillohen dhe ndihmojnë shtresat sociale” tha ai.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e hapjes u shpreh se në këtë qark do të kemi histori suksesi jo vetëm në Tiranë që përbën bashkinë tonë, por dhe në bashkitë që përbëjnë qarkun e Tiranës.

“Qarku i Tiranës mori vëmendje në botimin e fundit të INSTAT që ka një rritje prej 8.5% që është dyfishi i rritjes ekonomike  të vendit. Sot jam i kënaqur që konstituojmë qarkun, por kemi mundësi të fillojmë me energji të reja punën”, tha Veliaj.