Vlorë, shkarkohen drejtori i Kadastrës, nëndrejtori dhe disa specialistë
Transmetuar më 09-09-2019, 15:03

Një furtunë shkarkimesh ka ndodhur në Kadastrën e Vlorës, ku mësohet se kanë ikur “kokat” më të larta të këtij institucioni. Mësohet se është shkarkuar nga detyra kreu i Kadastrës, Florjan Alimadhi, i cili mbante këtë detyrë prej muajit maj të këtij viti.

Ai është zëvendësuar me Alteo Nazërajn, i cili nga sot do të drejtojë Kadastrën e Vlorës. Nazëraj ka punuar si specialist në drejtorinë e Hipotekës prej 10 vitesh, ndërsa me profesion është jurist.

Gjithashtu, është shkarkuar nga Kadastra edhe nëndrejtori Klodian Troci, i cili është zëvendësuar me Krenar Xhemalin, si dhe disa specialistë.

Kujtojmë që Drejtoria e Kadastrës Vlorë ka qenë një nga Drejtoritë më problematike ndër vite lidhur me çështjet e pronave në hipotekë.

Janë të shumta çështjet gjyqësore, denoncimet e bëra kohë pas kohe, veçanërisht për çështje që kanë lidhje me trojet bregdetare. Rastet e fundit kanë qenë në gadishullin e Karaburunit, ku Prokuroria zbuloi qindra hektarë tokë të tjetërsuara.

Në 6 vite të qeverisjes socialiste në Vlorë janë ndërruar 12 drejtorë. Sipas kadastrës, nga ankesat e qytetarëve, kuptohet se bregdeti i Vlorës ende nuk i është nënshtruar regjistrimit fillestar, gjë që ka lejuar manovrimet e bëra me pronat në këto zona./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...