Zhdukja e biznesmenit nga jahti luksoz/ Radari ishte i fikur, dy pistat e hetimit
Transmetuar më 09-09-2019, 13:48

Jahti i braktisur, i gjetur 12 milje larg bregut, vijon të qëndrojë i ankoruar në Portin e Shëngjinit, ndërsa fati i pronarit mbetet ende mister.

Familjarët e biznesmenit turk, Sevgin Yavuz, që sipas burimeve kanë mbërritur në Shqipëri, pritet të japin të dhëna të reja lidhur me zhdukjen e 31-vjeçarit. Sipas burimeve, ata do të tërheqin mjetin lundrues, por pritet edhe të sqarojnë disa pikëpyetje mbi udhëtimin e familjarit të tyre përmes Mesdheut e Adriatikut.

Për shkak të ndjeshmërisë së lartë, hetimet janë në dorë të Krimeve të Rënda dhe është i përfshirë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Në pritje të përgjigjeve nga familjarët dhe agjencitë ligjzbatuese në Turqi dhe Mal të Zi, nga ku mjeti 13 metra i gjatë është larguar më 2 shtator, hetuesit shqiptarë kanë ngritur disa pista.

Sinjalin e fundit rezulton se ai e ka dhënë atë ditë në orën 17:42 minuta pranë Budvës dhe më pas radari është fikur. Dyshimet e para janë për një ngjarje aksidentale, por nuk përjashtohet as skenari më ekstrem për një eliminim të mundshëm të 31-vjeçarit nga grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës.

Pista e parë, sipas burimeve, përforcohet në faktin se në jaht janë gjetur pajisje peshkimi dhe kjo ka ngritur dyshimin se biznesmeni mund të ketë fikur mjetin për të peshkuar, por në rrethana aksidentale mund të ketë rënë prej tij dhe ka humbur gjurmët.

Ndërsa pista e dytë përforcohet nga fakti se mjeti lundrues është i mbushur me karburant për udhëtim të gjatë, shkruan ‘panorama’. Por, sipas burimeve që mbeten të rezervuara, brenda jahtit nuk ka shenja të dukshme dhune, që mund të ngrenë dyshime për një vrasje të mundshme.

Ekspertët janë duke këqyrur për gjurmë dhe prova të gjetura brenda mjetit lundrues me vlerë 2 milionë euro, për të kuptuar nëse biznesmeni ka qenë aty i vetëm apo ka shenja që tregojnë praninë dhe të personave të tjerë.

Jahti me flamur turk, me vlerë 2 milionë euro, u evidentua nga një peshkarexhe 12 milje në det teksa lundronte me motor të fikur dhe pa asnjë person në bord, gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës.

VLERA E JAHTIT

Jahti i biznesmenit turk gjatë javës së fundit të muajit gusht ka lundruar në ujërat e Kroacisë. Ai mban emërtimin “Atik Bey” dhe ishte blerë nga Sevgin Yavuz vetëm një vit më parë. Vlera e tij arrin në 2 milionë euro. Fotot e jahtit të modelit Foundain Pajot, Saona 47, janë publikuar nga një kompani turke e quajtur “Tur-Marin”.

Loading...
Loading...