Transmetuar më 09-09-2019, 11:36

“Fakti që u qetësua situata pas datës 10 qershor, që nuk kemi patur ngjarje problematike

edhe në datën 30 qershor, në rast se nuk do të kishte dalë dekreti për anulimin e datës, mund të kishim patur një situatë tjetër, e cila nuk do të ishte e mirë për qytetarët tanë kudo në të gjithë vendin”.

Kështu tha Presidenti Ilir Meta në vijim të seancës së sotme dëgjimore në komisionin hetimor parlamentar, ku po diskutohet shkarkimi i tij.

Ai deklaroi se nuk është i paqartë për dekretet e tij duke thënë se, “kush është i paqartë për to, le të ndjekë rrugën që dëshiron”.

Pyetjes nëse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për dekretet e rrëzuara nga Parlamenti, Meta tha prerazi “dekretet e mia janë ende në fuqi”.

Sipas tij zgjedhjet duhen mbajtur në 13 tetor për të shmangur çdo keqkuptim.

“Meqenëse të gjithë flasin në emër të popullit shqiptar, që nga opozita që ka dalë në rrugë. Zgjidhja e vetme në këtë situatë, për të cilin i vetmi institucion që nuk mban përgjegjësi është Presidenti i Republikës, pasi i ka bërë të gjitha mundësitë që të zgjidhej kriza për sa kohë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Zgjidhja e vetme mendoj unë është të mos flasim në emër të qytetarëve, por të flasin vetë qytetarët në zgjedhje vendore, zgjedhje parlamentare por edhe për Presidentin. Dhe në rast se mendojnë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën le të shprehen me votë”, u shpreh Meta.

Kreu i shtetit tha se data e zgjedhjeve të tetorit u bë me synimin e vetëm që Shqipëria ti ketë të gjitha shanset për çeljen e negociatave.

Presidenti Ilir Meta do të hetohet për një periudhë tre mujore nga kryetari i komisionit hetimor Ulsi Manja dhe 8 deputetë të tjerë, 4 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita për shkelje të rëndë të Kushtetutës sipas kërkesës së bërë nga 55 deputetë socialistë.

Kreu i shtetit po verifikohet për procedurën e ndjekur nga lidhur me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve 30 qershor./a.y/noa.al

“Shkarkimi”, Meta para komisionit hetimor: Kuvendi e ka bërë gjykimin para se të nisë kjo çështje

I përpiktë! Meta mbërrin në këmbë në Kryesinë e Kuvendit ku kërkohet shkarkimi i tij