Vodhën kasafortën me para dhe makinën në shtëpinë e një personi, dy në pranga, një në kërkim
Transmetuar më 08-09-2019, 12:19
Foto ilustruese

Policia e Tiranës thotë se ka zbardhur dhe dokumentuar autorësinë e vjedhjes së një makine dhe një kasaforte në banesën e një personi në Babrru, ngjarje e ndodhur më 29 korrik 2019.

Efektivët e komisariatit nr.5 në Tiranë, pas hetimeve të kryera kanë vënë në pranga F. Ll., 36 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Fushë Mëzes, Tiranë, i proceduar më parë për veprën penale “Kalim të paligjshëm të kufirit dhe E. C., 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Po ashtu është shpallur në kërkim E. C., 37 vjeç lindur dhe banues në Tiranë.

Ata akuzohen në bashkëpunim me njëri-tjetrin më 29 korrik 2019, në Babrru i kanë vjedhur në banesë shtetasit B. M., kasafortën me një sasi të konsiderueshme eurosh dhe automjetin e tij.

Në momentin e kapjes, policia, gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale mjetin e vjedhur në pronësi të shtetasit B. M., si dhe një mjet tjetër me të cilin të dyshuarit lëviznin.

Aktualisht po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...