Transmetuar më 05-09-2019, 19:55

Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore në Paris. Shqipëria vijon përgatitjet për 2 ndeshjet kualifikuese EURO 2020, në stadiumin ku më 7 shtator do të luhet ndeshja e pestë eliminatore.

Përballë Shqipërisë janë kampionët e Botës në fuqi.

Sipas programit, më 7 Shtator luhet Francë-Shqipëri dhe më  10 Shtator në "Elbasan Arena", është radha e takimit të gjashtë, Shqipëri-Islandë.

Pas katër ndeshjeve të para kuqezinjtë kanë 6 pikë, tre më pak se Franca, Turqia dhe Islanda.

Por edhe pse përballë gjelave duket gjithçka e vështirë, mediat prestigjoze franceze rëndisin arsye, se edhe Franca nuk duhet ta konsiderojë të lehtë takimin me Shqipërinë.

Revista e përjavshme franceze “France Football”, në numrin e radhës i ka kushtuar një hapësirë të veçantë sfidës së 7 shtatorit, Francë-Shqipëri, që do të zhvillohet në “Stade de France”. Referuar edhe përplasjeve mes dy skuadrave gjatë viteve të fundit, por edhe faktit që Shqipëria drejtohet nga një ekspert italian, "France Football" i këshillon “Gjelat” që të mos e marrin lehtë. “Pse duhet të jemi të kujdesshëm ndaj Shqipërisë…”, shkruan “France Football”, duke veçuar tri arsyet kryesore.

Sepse në vitin 2014, Portugalia u surprizua nga “shqiponjat” dhe kjo fitore pati shumë rëndësi. Është e vërtetë që CR7 nuk ishte atë ditë në fushë, megjithatë…

Sepse Mërgim Mavraj, ai që realizoi golin e barazimit të turpshëm të bluve (1-1) në Rennes, në të njëjtin vit 2014, është ende aty.

Sepse trajneri Edy Reja është një mik shumë i mirë i mjeshtrit të taktikës Fabio Capello. Do ta kemi pisk, nëse ai i ka dhënë disa këshilla./a.m/NOA.al