Transmetuar më 03-09-2019, 15:53

Gjatë 24 orëve të fundit në Elbasan policia njofton se janë arrestuar dhe ndaluar 7 persona për vepra të ndryshme penale. Por ajo që bie në sy dhe është edhe më dramatike, në katër raste, kemi të bëjmë me dhunë në familje.

Në Elbasan në një rast është ushtruar dhunë ndaj babait e në një rast tjetër ndaj bashkëjetueses, në Librazhd një i ri ka rrahur vëllain dhe kunatën, kurse në Prrenjas një tjetër 39 vjeçar ka ushtruar dhunë në familje. Edhe pse ata janë arrestuar, fenomeni duket social e tepër shqetësues.

Sipas njoftimit zyrtar, nga 7 të arrestuar në 24 orët e fundit nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, katër prej tyre akuzohen për dhunë në familje:

G.M., 44 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, në banesë.

K.N., 30 vjeç, banues në Gjirokastër, u ndalua pasi ishte shpallur në kërkim kombëtar sepse ka kanosur dhe tentuar të ushtrojë dhunë fizike ndaj bashkëjetueses.

Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd arrestuan dhe ndaluan shtetasit:

A.P., 39 vjeç, banues në Librazhd, pasi për motive të dobëta ka goditur me mjete të forta vëllain e tij, si dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatës së tij.

Sh., 39 vjeç, banues në Prrenjas, u kap nga shërbimet e Policisë Librazhd, pasi ishte shpallur në kërkim kombëtar, për veprën penale "Dhuna në familje".

Tre rastet e tjera të veprave penale në 24 orët e fundit, në këtë qark:

I.T., 66 vjeç, banues në Elbasan, pasi duke drejtuar mjetin kamion ka aksidentuar një këmbësor, shtetasin P.N.

F.K., 37 vjeç, banues në Elbasan është kapur nga shërbimet e Policisë së Elbasanit, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burg për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e armëve të ftohta".

A.P., 44 vjeç, banues në Gramsh, pasi në fshatin Harunas, në vendin e quajtur "Bregu i Selesofit", gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe sekuestruan 42 bimë narkotike të kultivuara. Dyshohet se ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim kombëtar dhe po punohet për kapjen e tij, ka kultivuar lëndë narkotike./a.m/NOA.al