Transmetuar më 02-09-2019, 11:13

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe me anë të një video-mesazhi të publikuar në rrjete sociale, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini ka njoftuar mbi nisjen e shpërndarjes së librave falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

Teksa vitin e kaluar rreth 125 mijë nxënës nga klasat e para deri në klasat e katërta kanë përfituar libra falas, për vitin e ri shkollor 2019-2020 numri i përfituesve është rritur në 155 mijë, pasi kësaj skeme i janë shtuar edhe nxënësit e klasave të pesta. Shpërndarja e librave ka filluar sot dhe mbyllet disa ditë para fillimit të shkollës.

“Viti i ri shkollor nuk fillon edhe 2 javë, mirëpo përgatitjet i kemi filluar qysh tani.

Duke filluar nga sot, data 2 shtator, ju mund të shkoni pranë shkollave tuaja dhe të merrni pakot e librave falas. Nismën e kemi filluar vjet, me një shumë prej 600 milion lekësh e cila është shpenzuar për të blerë librat për të gjithë nxënësit e klasave 1 deri 4, si dhe nxënësit e tjerë të kategorive të veçanta (me asistencë sociale, nevoja të veçanta apo minoritarë) që përfitojnë librat falas. Sivjet, ngaqë kemi ruajtur shumë mirë librat nga viti i kaluar, kemi patur mundësinë të përfshijmë edhe klasën e 5-të plotësisht në nismën e librave falas. Kështu që, ju mirëpresim nëpër shkolla dhe shumë suksese për vitin e ri shkollor”, thotë ministrja në mesazhin e saj.

Bëhet me dije se vetëm tekstet e klasës së parë do të jenë krejtësisht të reja, ndërsa klasat e tjera do të marrin tekstet e përdorura një vit më parë.

MASR bëbn me dije se nga eksperienca e këtij viti duket se rikthimi i librave në bibliotekat e shkollave për ripërdorim ka rezultuar efektiv për 80% të teksteve.

Sqarohet se pjesa tjetër e dëmtuar që nuk munden të përdoren, përmes një buxheti të posaçëm janë blerë nga MASR dhe do të shpërndahen nëpër shkolla. /a.y/noa.al