Transmetuar më 01-09-2019, 21:18

Një katastrofë e madhe mjedisore raportohet se ka ndodhur përgjatë Lumit Drini i zi.

Mbi 12 ton peshq kanë ngordhur ditë më parë në lum, pranë Prizrenit.

Peshqit e ngordhur janë hasur nga fshati Muradem deri në fshatin Dobrusht.

Sipas peshkatarëve, ngordhja e peshqve ka ndodhur për shkak të kontaminimit të ujit të lumenjve të kësaj ane, nga hedhja e mbeturinave të kompanive të ndryshme.

Bashkim Krasniqi, kryetar i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, është shprehur i zhgënjyer me institucionet për këtë gjendje.

Në anën tjetër, nga komuna e Prizrenit, përgjegjësinë e hedhin te qytetarët.

Drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, tha se përveç pastrimit të lumenjve, nuk kanë kompetenca të tjera lidhur me këtë çështje.

Për të parë gjendjen nga afër, në terren, disa ditë më vonë nga ngordhja e peshqve, kanë dalë edhe Inspektorati komunal.

Mirëpo, sipas tyre, nuk është hasur në mbetje të peshqve. Dyshohet se peshqit i ka marrë rrjella.

Autoritetet në Kosovë përgjithësisht heshtin, ndërsa në pjesën shqiptare, nuk është vënë re ky fenomen, ndonëse përderisa peshqit nuk janë larguar nga lumi, problemi mund të jetë shumë më i madh edhe përgjatë rrjedhjes së lumit.  /a.m/NOA.al