Nga Lutfi Dervishi: Nëse kritikon…
Transmetuar më 30-08-2019, 17:15

Opinion nga Lutfi Dervishi

Nëse kritikon qeverinë do të thonë se të paguan opozita,

Nëse kritikon opozitën do të thotë se je shitur te qeveria,

Nëse i kritikon të dy do të thonë bën lojën e oligarkëve…

Nëse i kritikon oligarkët do të thonë i shantazhon për t’u marrë para!

Nëse i kritikon të gjithë do të thonë…ky është i çmendur.

Nëse përdor emra në shkrim do të thonë e ke personale

Nëse nuk përdor emra do të thonë…ke frikë të përmendesh emra!

Nëse merresh me gazetari investigative do të thonë: gjobvënës

Nëse nuk merresh do të thonë: pse nuk investigon?

Nëse ke mbetur pa shtëpi e katandi do të thonë: ti nuk bën hajër për vete

Nëse ke shtëpi e katandi do të thonë: aaaa edhe ti si gjithë të tjerët, i korruptuar.

Nëse merresh me një ngjarje të aktualitetit do të thonë: ku ishe ti më 1991? 1996? 2006? 2016?!

Nëse shkruan për të shkuarën do të thonë: po pse nuk shkruan për këto që ndodhin sot?!

Nëse kritikon një lider do të thonë: po pse nuk e kritikon tjetrin.

Nëse i kritikon të dy (apo të tre) do të thonë: e bën për snobizëm.

Nëse shkruan për sportin do të thonë…nuk ta mban të shkruash për politikë.

Nëse shkruan për politikë do të thonë të gjithë merren me këtë sport!

Nëse shkruan për liderët, do të thonë: pse nuk shkruan për njerëzit.

Nëse shkruan për “njerëzit” do të thonë nuk ta mban të shkruash për “liderët”

Nëse shkruan për zjarret në Amazonë do të thonë pse nuk shkruan për zjarret në Shëngjin.

Nëse shkruan për zjarret në Shëngjin do të thonë: bota digjet dhe ky e ka mendjen te Shëngjini

Nëse shkruan humor do të thonë: seriozisht e ka ky?

Nëse nuk shkruan humor- do të thonë: po ky me ne tallet?

Nëse flet për një çështje do të thonë: pse nuk hesht?

Nëse hesht do të thonë: pse nuk flet?

Nëse shkruan të vërtetën do të thonë: këto i dinë të gjithë na thuaj zgjidhjen.

Nëse shkruan për zgjidhjen do të thonë: avash, avazh. U bëre ti.!

Nëse nuk shkruan të hakërrehen…. pse nuk shkruan.?!

Nëse shkruan, gjithsesi ti do të jesh fajtor për…

për 13 tetorin, 30 qershorin, për negociatat, për zjarrin në Amazonë, për faktin që ka dy muaj që nuk bie shi, për krizën e refugjatë, për Brexit, dhe padyshim edhe për krizën në detin e Kinës.

Por do të jesh fajtor edhe pse ai/ajo është pa punë, pse ai/ajo nuk del në televizor, pse nuk i ka dalë lotaria amerikane, pse nuk ka fituar llotarinë kombëtare dhe pse tani…. bën kaq shumë vapë!

/a.m/NOA.al/

Loading...
Loading...