Transmetuar më 30-08-2019, 11:32

Komisioneri Evropian për zgjerim, Johannes Hahn, ka dërguar porosi të qarta dhe të prerë për Kosovën dhe Serbinë.

Eurodeputeti Hahn ka porositur nga Helsinki për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Është thelbësore që Kosova ta heq taksën. Zgjidhja, rrjedha pozitive e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është element kyç për të ardhmen e perspektivës evropiane të gjithë rajonit”, tha ai.

Hahn përsëriti thirrjen e tij për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe në Kosovë. “Është shumë e rëndësishme heqja e taksës sepse është kundër parimeve të Bashkësisë. Kur bëhet fjalë për tregtinë e lirë, nuk ka vend për taksa. Kjo duhet të ndryshojë”, theksoi Hahn.

Por, ai po ashtu i bëri thirrje Serbisë të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Në të dyja palët duhet të bëhen hapa njëri drejt tjetrit. Mendoj se mund të gjejmë zgjidhje dhe se kjo nuk është e pamundur”, porositi Hahn. Ai beson se pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, do të jetë një “situatë më e qartë”.

“Së bashku me Bashkimin Evropian shpresoj të hyjmë në finalizimin e bisedimeve”, përfundoi Hahn.