Transmetuar më 23-08-2019, 16:59

Afro një vit e gjysmë pas arrestimit, drejtësia gjermane ndez dritën jeshile për ekstradimin e Arbër Cekajt në drejtim të Shqipërisë. Burime të besuara pranë ministrisë së Drejtësisë, thanë për News24 e ‘BalkanWeb’ se vendimi për lejimin e ekstradimit të pronarit të kompanisë “Arbri Garden”, është marrë 20 ditë më parë nga gjykata penale e Dusseldorfit.

Të njëjtat burime konfirmuan se vonesa në marrjen e vendimit, lidhej me faktin se biznesmeni nën akuzë për trafikimin e sasisë rekord të 613 kilogramëve kokainë kolumbiane drejt portit të Durrësit, ka bërë kërkesa të shumta përpara autoriteteve të drejtësisë gjermane, me qëllim pengimin e ekstradimit. Njëherazi ai ka paraqitur edhe kërkesë për azil me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta.

Kërkesa për azil, konfirmuan burimet, nuk është shqyrtuar ende nga gjykata, çka do të thotë se nuk mund përcakohet koha se kur mund ekstradohet biznesmeni.

Për këtë cështje Neës24 kontaktoi zyrën e shtypit në ministrinë e Drejtësisë dhe zyrën e Interpolit, por nuk mori përgjigje zyrtare nga ana e tyre.

Arbër Çekaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria për Krime të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve kryer në bashkëpunim me menaxherin e kompanisë Donald Lushaj dhe shoferin e kamionit që trasportoi kontenierët me banane nga porti i Durrësit drejt magazinave rë Arbri Garden në Maminas.

Procesi gjyqësor në gjykatën për Krime të Rënda pritet të rifillojë në shtator, pasi më herët nuk u bë i mundur njoftimi i biznesmenit të pandehur.

Sasia e drogës që vinte nga Kolumbia, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë u bllokua në mars të 2018, në kontenierët me banane që ishin porositur nga biznesmeni. Vlera e drogës përllogaritej 180 milionë euro. Biznesmeni Cekaj eshte cilesuar nga ish ambasadori amerikan Donald Lu, si “peshku i madh” i kokainës.