Transmetuar më 23-08-2019, 14:05

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar “Periferia” ka vënë në pranga një person të dyshuar për 13 vjedhje në banesa.

Paraditen e sotme, u bë arrestimi i D.T., 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Mëngjesin e sotëm i dyshuari u kap në flagrancë, në lagjen Nr.15 Durrës, në tentativë për të vjedhur banesën e shtetasit A.S.

Po gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm ai kishte vjedhur në banesën e shtetasit M.Q., dy telefona celularë dhe vlera monetare.

Nga hetimet e policisë, dyshohet se shtetasi D.T., gjatë dy muajve të fundit ka realizuar edhe disa vjedhje të tjera banesash në periferi të qytetit të Durrësit, i cili gjatë natës futej nëpër banesa nëpërmjet dritareve, kur njerëzit ishin në gjumë dhe vidhte sende me vlerë.

Rastet për të cilat akuzohet

-Më datë 4 korrik, gjatë natës, në lagjen Nr. 15, Durrës, dyshohet se ka vjedhur banesën në pronësi të shtetasit A.T., ku ka marrë një televizor plazma.

-Më datë 28 korrik, në fshatin Xhafzotaj, Durrës, dyshohet se ka vjedhur vlera monetare në banesën e shtetases Z.I.

-Më datë 10 gusht, në lagjen Nr. 18 Durrës dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit E.M., 20 vjeç, një telefon celular dhe vlera monetare.

-Më datë 11 gusht, dyshohet se ka vjedhur një televizor në banesën e shtetasit G.V.

-Më datë 11 gusht, dyshohet se ka vjedhur një televizor në banesën e shtetases L.K.

-Më datë 20 gusht, gjatë natës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit A.M., banues në lagjen Nr.14/1.

-Më datë 21 gsht, gjatë natës, në Arapaj, Durrës, dyshohet se ka vjedhur një televizor plazma dhe disa bizhuteri banesën e shtetasit N.A.

-Më datë 21 gusht, gjatë natës, në lagjen Nr.15, Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë banesën e shtetases B.C.

-Më datë 21 gusht, gjatë natës, në lagjen Nr.15, Durrës, dyshohet se ka vjedhur një televizor plazma dhe një celular në banesën e shtetasit Z.M.

-Më datë 22 gusht, gjatë natës, në fshatin Rrashbull, Durrës dyshohet se ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit A. Q., dhe ka marrë disa bizhuteri.

-Më datë 22 gusht, gjatë natës, në fshatin Rrashbull, Durrës dyshohet se ka vjedhur me thyerje banesën e shtetases R.S., dhe ka marrë dy telefona celularë dhe vlera monetare.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar disa telefona celularë dhe një sasi parash.

Ndaj të dyshuarit për zbulimin e rasteve të tjera ku mund të jetë përfshirë, hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit. /a.y/noa.al