Transmetuar më 23-08-2019, 10:00

Policia e Tiranës thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në Tiranë, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri 26-vjeçari Indrit Çelaj, i cili mëngjesin e sotëm ndërroi jetë në spital.

Si të dyshuar për ngjarjen janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dy vëllezër, djemtë e pronarit të vilës ku i riu punonte.

Ndërkohë janë arrestuar në flagrancë për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetes”, katër persona, mes tyre edhe pronari i vilës.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se në ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, Griseldo Kusi, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij, Albano Kusi, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me Indrit Çelaj, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, ka plagosur rëndë me armë të riun, i cili mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë Edmond Sula, 43 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Ferdinand Bakalli, 41 vjeç, Bujar Kusi, 54 vjeç dhe Luan Çaka, 36 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar organet kopetente sipas detyrimit ligjor.

Aktualisht vijon puna për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.

Po nga veprimet hetimore, rezultoi se të dyshuarit kanë biseduar me shtetasin Lorenc Veliaj, me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të kryera, L.V., 27 vjeç banues në Tiranë, gjatë orëve të vona të natës është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al

Plagosja me plumb në kokë te “Myslym Shyri”, i riu gjen vdekjen në spital

U qëllua me plumb në kokë, polica jep detaje të reja për plagosjen e 26-vjeçarit në Tiranë