Transmetuar më 21-08-2019, 20:23

I doli lotaria amerikane dhe ishin pranë realizimit të ëndrrës, por jo ata qytetarë që mashtrojnë dhe abuzojnë me ligjin.

Një tjetër shtetas ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit menjëherë sapo ka lënë ambientet e Ambasadës Amerikane.

Agron Selmani, 41 vjeç, iu hodhën prangat nga forcat ‘Shqiponja’ menjëherë sapo Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS zbuloi një tjetër rast falsifikimi e mashtrimi me vizat, që konsiderohet një krim i rëndë në SHBA, dhe që parashikohet gjithashtu si vepër penale edhe në Kodin Penal shqiptar.

Agron Selmani, siç thonë burime të besueshme të policisë, ishte fitues i lotarisë amerikane. Por mes dokumentave që ka dorëzuar në ambasadë përpara se të intervistohej, ai ka depozituar edhe të dhëna të rreme, siç ishte një diplomë që e paraqiste 41 vjeçarin si të diplomuar në shkollën e mesme “Jordan Misja” në Shkodër. Nga verifikimet që ambasada kryen për këdo përmes DSS, është zbuluar se në fakt ai nuk kishte qenë asnjëherë i regjistruar në këtë shkollë dhe se diploma ishte false.

Agron Selmani akuzohet për falsifikim dokumentash dhe mashtrim me vizat. Ka pasur edhe raste të tjera të këtij lloji, çka tregon se SHBA, ndryshe nga Shqipëria falsifikimin e shkollës e cilëson krim të rëndë. Në Shqipëri, kujtojmë se edhe gati gjysma e deputetëve janë nën akuzë për falsifikim të arsimit të tyre.  /a.m/noa.al