Transmetuar më 21-08-2019, 16:19

Përgjatë muajit gusht në Shqipëri kanë hyrë 1 milionë turistë. Ka qenë vajza e një familje austriake që plotësoi numrin 1 milion, çka u promovua edhe nga ministri Klosi.

Ministria e Turizmit thotë se sezoni ka qenë i suksesshëm dhe në gusht janë regjistruar 16% turistë më shumë se në vitin 2018.

Familja Forster nga Austria shënon turistin e 1 miliontë në vendin tonë.

Kjo shifër rekord sipas Ministrisë së Turizmit, është arritur vetëm përgjatë muajit gusht, duke regjistruar kështu 16% më shumë turistë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Rasti që turisti i 1 miliontë për këtë muaj të hyjë në Sarandë dhe ne së bashku me kryetarin e bashkisë, drejtoreshën e portit dhe autoritetin portual e mirëpritëm bashkë me të rinjtë smile duke dëshmuar një moment simbolik në këtë ofertë turistike që ka Saranda dhe gjithë bregdeti shqiptar për vitin 2019, është një vit i suksesshëm”, theksoi ministri i Mjedisit dhe i Turizmit, Blendi Klosi.

Të surprizuar nga pritja që iu bë në Sarandë, aty ku do të kalojnë edhe pushimet, familja Forster tha se Shqipërinë ua kanë rekomanduar miqtë e tyre, duke e cilësuar vend me natyrë mahnitëse.

“Miqtë na treguan se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, që duhet ta vizitoni patjetër tani. Na thanë që është një vend i bukur turistik, i qetë, me njerëz të mirë gjithashtu. Ne do të qëndrojmë këtu për 1 javë, me shpresën që do ta shijojmë qëndrimin këtu”/a.m/noa.al/