Transmetuar më 21-08-2019, 12:22

Ministria e Financave dhe Ekonomisë reagon lidhur me situatën e krijuar në Bashkinë Shkodër, pas zërave për bllokimin r fondeve në këtë bashki, vendim ky i marrë si pasojë e përfundimit të mandatit të kryebashkiakes Voltana Ademi.

Lidhur me situatën e krijuar në Bashkinë Shkodër, ministria sqaron se strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i kanë ndjekur nga afër këto procedura në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për sa i përket kësaj situate, Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se, “Ditën e djeshme janë ekzekutuar nga Dega e Thesarit, Shkodër, të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër, brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore. Për këtë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Dega e Thesarit, Shkodër, ka gjithë dokumentacionin e nevojshëm për sa më sipër”.

Në vijim MFE sqaron se është në funksion të ligjit për të gjithë qytetarët njësoj dhe pa dallime.

Sakaq Partia Demokratike dega Shkodër e cilëson si hakmarrje të Edi Ramës ndaj qytetit verior.

Në qëndrim thuhet se pas protestave në qytetin e Shkodrës, Edi Rama nuk ngurron as këtë herë të shfaqë urrejtjen që ai ka për Shkodrën e qytetarët e saj.

Denoncohet se Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit përmes degës në Shkodër ka bllokuar funksionimin normal të Bashkisë Shkodër, duke bllokuar kështu fondet për shërbime e investime.

“E dimë mirë se sa Edi Rama e do qytetin e Shkodrës, prej faktit që ai prej 6 vitesh qeverisje, në qytetin tonë ka sjellë 0 investime, e tani do të bllokojë edhe investimet që bashkia bën me të ardhurat e veta. Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë po i bllokon shërbimet qytetarëve të Shkodrës. Qytetarët e Shkodrës nuk të kanë asnjë borxh. Ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë ato paguajnë taksat dhe për këtë meritojnë shërbimet për të cilat ato vetë po paguajnë .Çfarëdo që të bësh, duhet ta dish mirë që fundi jot dhe i klikës tënde politike do të vijë nga Shkodra!”, thuhet në qëndrimin e PD Shkodër. /a.y/noa.al