Transmetuar më 21-08-2019, 09:55

Një operacion i policisë së Tiranës, i koduar “Kredia” ka vënë në pranga shtatë persona të dyshuar se kanë përfituar 2 milionë euro kredi fiktive nga fondi “Besa”, ndërkohë që 1.7 milionë euro të tjera i ka përfituar vetëm drejtoresha e filialit ku ka ndodhur gjithçka.

Pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e fondacionit për dhënie kredie, se një pjesë e stafit të këtij fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm, Prokuroria nisi hetimet.

Pas një punë hetimore njëjavore nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, mbrëmjen e djeshme, e martë, policia e kryeqytetit organizoi operacionin duke vënë në pranga shtatë persona.

Të arrestuarit janë: Albana Imami, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë drejtoreshë në një nga degët e filialit të fondacionit "Besa".

-B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të fondacionit.

-M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të fondacionit.

-M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të fondacionit.

-E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të fondacionit.

-Orkida Driza, 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.

-A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një pjesëtari tjetër të grupit, i cili kishte rolin e sekserit, ndërkohë që vijon puna për kapjen e tij.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.

Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.

Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.

Nga drejtoresha e degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milionë euro.

Aktualisht vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.

Redaksia Noa.al u përpoq të merrte një qëndrim zyrtar nga drejtuesit e fondit "Besa", por kjo nuk u bë e mundur nga ana e tyre.  /a.y/noa.al