Nga Ingrid Xhaja: Për dhunuesit e shërbimeve
Transmetuar më 19-08-2019, 15:30

Çdo lajmi pas 3 ditësh i del lezeti ndaj edhe unë nuk dua të merrem me lajmin e atij burrit të çmendur që bën një stunt mbi makinë. Ai dhe shumë të tjerë qytetarë që mund të kenë seriozisht nevojë për kujdes shëndetësor janë në fakt tregues për të tjera probleme shoqërore.

Unë kam pak më shumë se 2 vite që shkruaj për restorantet, baret dhe problematikat e shërbimit dhe në këto dy vite kam kuptuar që ka shumë nevojë jo vetëm për përmirësim por mbi të gjitha ka një hendek të madh midis klientëve dhe ofruesve të shërbmit në komunikim. Besoj nga kjo premisë nis problemi i cili më pas degradon deri tek “të hidhem sipër makinës e s’të lëshoj”.

Dhunuesit si Mihali i kemi këtu. Në lokalet më elitare (ha ha) të epiqendrës tonë, bllokut. I kemi në kodrinat e Tiranës, në bregdetin e Durrësit, në veri e në jug, të shpërndarë me mjeshtëri kudo. Ndryshimi qëndron vetëm tek doza e agresivitetit dhe teknika e sulmit. Po e ilustroj me disa shembuj këtu nga blogu tipologjitë e sulmeve që marr në komente apo në inbox.

Nëse kritikoj një lokal ‘cool’, shoqëria po ‘cool’ dhe influencuese e personit që ka lokalin bën due diligence për mua, macen time dhe dashnorin e maces që të gjeje se çfarë problemi personal (mendojnë ata se) kam unë me ta (Rasti i TeDuKtu). Nëse kritikoj një restorant ‘elitar’ (prapë ha ha ha) dalin disa figura të ndritura dhe alter egot e tyre me profile false që shprehin pak mendime ripërsëritëse por plot sharje e ofendime personale (Rasti i Arvin Kitës dhe “shokut të tij”). Nëse shkruaj për një restorant tradicional në rrethina, të nesërmen sulet një lukuni komentuesish analfabetë që thonë…nuk e di se çfarë thonë se nuk e kuptoj gjuhën e tyre dhe aq më pak vijën logjike (Rasti i Cerenit). E kështu me radhë shpalosen të gjitha format e mohimit të pronarëve të lokaleve të cilët duan të gjejnë problemin tek ti e jo të pranojnë që kanë një kuzhinë të qelbur, për shembull.

Këto janë vetëm disa nga rastet e bullizmin virtual që unë jam përballur çdo herë që kam dashur të tregoj eksperiencën time diku, duke artikuluar një mendim të vërtetë e pa llustra. Por jam e bindur që kjo nuk më ndodh vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që ndajnë opinione në të gjitha platformat e krijuara posaçërisht për këtë punë duke i futur klientët në një spirale të padrejtë frike. Jetojmë në kohën kur të ndash eksperienca ndihmon klientët të gjejnë vende të reja dhe për të sigurohen që do marrin shërbim të mirë. Në të njejtë kohë ndihmon lokalin të gjejë klientelën e saj dhe të përmirësohet. E gjithë bota dhe të gjitha platformat teknologjike inkurajojnë këtë lloj dialogu sepse kjo është mënyra më e drejtë për një klient që të shprehë të drejtat e tij, dhe për një biznes për t’i qëndruar tregut.

Prandaj shkruani sa më shumë recensa. Ku të mundeni. Ndihmoni të tjerët të gjejnë vende të bukura, ndihmoni pronarët e drejtë të punojnë dhe palaçot të skarcohen nga koha.

Nuk ka pse të ndodhë gjëma, apo të flasin të ‘jashmit’ që të legjitimohen problemet e këtij tregu. Ne i njohim Mihalët. Thjesht duhet t’i identifikojmë dhe të flasim për ta. Nëse jemi shumë dhe themi të vërtetën, nuk do mund të kacavirren në të gjitha makinat tona, nëse ankohemi për shërbimet e tyre të mefshta dhe abuzuese. /Bonvivant.al/

Loading...
Loading...