Psikopatët që përdhunojnë turizmin shqiptar
Transmetuar më 18-08-2019, 07:19

OPINION nga Mero Baze

Kokëdhima në Portopalermo nuk është një njeri normal. Dhe njihet nga kushdo që ka shkuar qoftë dhe një herë, që nuk është normal. Nuk besoj se aty ka turistë apo vizitorë, që shkojnë për herë të dytë . Ai ka mbijetuar fal pozicionit që ka zaptuar në atë rrugës, privatizimit të plazhit dhe rezervateve të peshkut që ka bërë aty.

Skena makabër me turistët spanjoll, tejkalon çdo skenar hollivudi dhe nuk ka aktor që ta merr përsipër. Por çdo gjykim mbi një të sëmurë mendor është humbje kohe. Është njësoj si të gjykosh atë që vrau tetë vetë në Selenicë, ai që vrau dy turistë cekë, para disa vitesh në Dukagjin, apo krime të tjera nga të sëmurë psiqik në çdo vend të botës.

Ajo që duhet të gjykojmë është sistemi jonë i sigurisë në shërbimin publik.

Restoranit, plazhi, diskua, apo Pub, hoteli apo kampingu malor, janë shërbime për publikun në turizëm që zhvillohen nga privatë. Ajo që është e detyrueshme në këto raste është që njerëzit që i shërbejnë publikut duhen lincesuar.

Kokëdhima është rasti ekstrem kur shteti duhet të kishte ndërhyrë me kohë t’ia mbyllte atë restorant. Për të kuptuar këtë do të mjaftonte që një inspektor të shkonte qoftë dhe një herë tek restoranti i tij.

Tani që dëmi u bë dhe Shqipëria po bëhet objekt humori dhe destinacion tmerri për këdo që e shikon, së paku duhet vepruar ashpër, që ndëshkimi ndaj tij, të shërbej si shembull për këdo që abuzon me shërbimet ndaj publikut.

E para që duhet bërë, është heqja e tabelës “Restorant” dhe ndalimi i përhershëm i aktivitetit të tij dhe çdo familjari të tij në fushën e turizmit, përfshi dhe stafin që i ka qëndruar solidar në atë akt.

Këtu nuk kam parasysh dënimin penal se me atë merret gjykata. Por ndëshkimi administrativ që duhet ti jap qeveria për ta bërë shembull për këdo që guxon të sillet si bandit në shërbimet publike.

Dhe bashkë me këtë ndëshkim që duhet të nis me çmontimin e çdo të drejte që ky njeri ka pasur në shërbime turistike, duhet të nxjerrim mësime dhe për rritjen e sigurisë në vendet me intensitet të lartë turizmi.

Fakti që policia aty është përgjigjur pas gjysmë ore dhe e ka takuar atë në rrugën për të shkuar në Sarandë afër Nivicës, do të thotë se praktikisht nuk ka ekzistuar ndihma policore. Deri atëherë e keqja do të ishte bërë po të mos ishin dy shqiptarët e tjerë të çmendur që kanë përballuar sulmin e një psikopati me thikë dhe celular në dorë  dhe e kanë “shëtitur” atë tre km pa e shtypur me makinë.

Nuk vlen FNSH në Sarandë nëse nuk ka policë në Borsh, Qeparo Himarë Jalë Dhërmi pra në gjithë bregdetin që të jetë në një vendngjarje për 5 minuta.

Ajo që ka ndodhrur në Portopalermo , beteja mes një psikopati të sëmurë dhe një grupi turistësh, është një tmerr me një fund të lumtur , pasi mund të kishim më shumë se një viktima nga kjo histori. Dëmi që ai i ka bërë Shqipërisë, është i pallogaritshëm.

Licensimi i shërbimeve turistike, ndëshkimi shembullor i këtij psikopatit, dhe prania e policisë në çdo plazh të bregut jugor deri në fund të gushtit, është detyrimi minimal i qeverisë. Këtë radhë zoti shpëtoi njerëzit, por jo imazhin e turizmit shqiptar. Dhe nëse nuk e marrim seriozisht këtë histori, kur të përsëritet, nuk do shpëtojnë më, as njerëzit.

Loading...
Loading...